E thjeshtë

Një veshhje perfekte për një pasdite të këndshme.

Bluzja rezulton e bukur dhe e bërë në pak minuta. Ajo krijon dhe modifikon gjithçka që e sheh si të denjë për t’u kthyer në diçka tjetër, duke e bërë veshjen unike dhe krejt ndryshe nga ajo që ishte dikur. Kështu, një veshje e caktuar me disa detaje të shtuara, nuk ikën asnjëherë nga moda. Në fund të fundit është ajo që duam. Të mos flakim rrobat, pra. Kjo është ajo që bën, pak a shumë, në shumicën e rasteve. Them në shumicën e rasteve pasi Matilda Mulhaxha është edhe një stiliste, dhe si e tillë mund ta bëjë një veshje nga fillimi deri në fund, ashtu sikundër bën në atelienë e saj. Megjithatë, talenti i saj nuk kufizohet vetëm me veshjet. Në atelienë e saj të vogël e të ngrohtë syri të zë një kolltuk të kuq, të cilin Matilda Mulhaxha e ka bërë vetë. Marangozi i bëri formën drejtkëndëshe dhe ajo më pas i ngjiti pjesën e sfungjerit, i qepi lëkurën e kuqe sipas masës, i vendosi perçinat dhe ja ku u bë. Gjithçka gati me një kosto minimale.

Ideja e saj e të krijuarit nisi shumë natyrshëm. Ajo pyeti një ditë veten sesi ia dalin të vishen bukur ata që nuk i kanë mundësitë? Dhe ja si përgjigjet Matilda: “Të ndërtuarit thjeshtë apo modifikimi i veshjeve që kemi në garderobë më lindi si një mendim për të gjithë ata, të cilët nuk e kanë të mundur frekuentimin e një atelieje për arsye financiare, apo për të ngacmuar fantazinë e atyre njerëzve, të cilët iu jepet të krijojnë vetë veshjet e tyre. Edhe emisioni, i cili unë drejtoj, i dedikohet ekskluzivisht kësaj kategorie”. Veçse jo të gjithë mund të bëhemi krijues. Duhet elementi artistik, pra imagjinata. Për këtë gjë janë stilistët, ata që njihen për krijime të bukura. Në rastin kur nuk ke mundësi financiare të krijosh një veshje tek ata, mund të mësosh ta bësh vetë këtë gjë.

Lini një koment